Policia e Tiranës ka nisur shoqërimin e disa personave të pranishëm në protestën që po zhvillohet para Kryeministrisë. Pamjet tregojnë efektivë policie duke shoqëruar një person pranë hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, në zonën ku po zhvillohet tubimi.

Protesta e sotme u iniciua nga deputetë dhe militantë të Partisë Demokratike, të cilët u mblodhën fillimisht para selisë së PD-së dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Me mbërritjen aty, veprimi i parë i protestuesve ishte djegia e disa ulëseve që thuhet se ishin vendosur nga kryeministri Rama për dialog. Gjatë këtij momenti, një i moshuar u pa duke kërcyer pranë zjarrit.

Paralelisht, për ditën e sotme ishte paralajmëruar edhe një protestë tjetër nga të rinjtë, e planifikuar për në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Pas afro një ore qëndrimi para Kryeministrisë, protestuesit e Partisë Demokratike nisën të marshojnë drejt kësaj ministrie.

Me mbërritjen pranë Ministrisë së Arsimit, në hyrje të Rrugës së Durrësit, deputetët dhe militantët e PD-së u përballën me thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” nga ana e të rinjve që tashmë ishin mbledhur aty.