Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se vendi do të fillojë të lejojë votimin me postë për diasporën. Kjo lëvizje vjen mes akuzave nga LSDM-ja se qeveria po frikësohet nga rezultati zgjedhor.

Mickoski theksoi se një praktikë e tillë zbatohet në shumë vende të tjera, duke shtuar se diaspora “është shumë e rëndësishme” për shtetin. “Ne mund ta zbatojmë votimin me postë, kemi dhjetëra shembuj të tillë në Evropë dhe në botë. Do ta miratojmë këtë, vetëm për të siguruar një numër më të madh votash nga diaspora jonë, sepse ajo është thelbësore për ne. Përveç të tjerash, remitancat që diaspora dërgon në atdheun e saj janë të mëdha. Ne, si Qeveri, kemi ambicien ta kthejmë diasporën në shtëpi,” tha Mickoski.

Nga LSDM-ja theksojnë se qëndrimet e partisë për Kodin Zgjedhor janë parimore dhe të qarta: ata nuk do të pranojnë zgjidhje që krijojnë hapësirë për manipulim dhe vjedhje zgjedhore.

“Duke qenë të vetëdijshëm se po humbasin vota dhe mbështetje në mesin e qytetarëve, tani po përpiqen të kompensojnë humbjen e votave brenda vendit përmes një sistemi pa mekanizma të mjaftueshëm për kontroll, verifikim dhe garantim të fshehtësisë së votës. Për këtë arsye, VMRO-DPMNE po përpiqet të shtyjë me forcë dhe në mënyrë të dyshimtë votimin elektronik në diasporë, edhe pse nuk supozohet të zbatohet deri në vitin 2029,” deklaroi LSDM.