Ministri britanik i Mbrojtjes, Lord Vernon Coaker, vizitoi Kosovën dje dhe u takua me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash. Këtë e bëri të ditur Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Ambasadori Hargreaves, në një postim në platformën X (ish-Twitter), theksoi se gjatë takimit, ministri Coaker dhe Komandanti Ulutash, së bashku me Gjeneral Brigade Schulte-Borghoff, Drejtor i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s, diskutuan situatën aktuale të sigurisë në rajon.
“Lord Coaker riafirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj KFOR-it të NATO-s. Ata shkëmbyen pikëpamje mbi situatën aktuale të sigurisë, rolin thelbësor të KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë, si dhe kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për paqen dhe sigurinë në rajon,” shkroi Hargreaves.
Vizita e ministrit britanik thekson mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
