**Ministri i Jashtëm i Bosnjës, kritikë e ashpër ndaj Serbisë dhe Vuçiqit: Po fshihni kriminelët e luftës**

Elmedin Konakoviq, Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës, mori pjesë në takimin e tretë ministror të Iniciativës Rajonale ‘Platforma për Paqen në Ballkan’, i mbajtur në Antalia.

Gjatë panelit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, Konakoviq kritikoi ashpër qëndrimin e udhëheqjes serbe, të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.

Konakoviq theksoi dallimet kryesore në qasje. Duke folur për marrëdhëniet ndërshtetërore, ai vuri në dukje se vendet në rajon nuk është e nevojshme të “duhen” reciprokisht për të qenë fqinjë të mirë, por se ndershmëria dhe përgjegjësia janë thelbësore për ndërtimin e besimit.

“Nuk mund të gënjejmë dhe të presim besim. Pas gjithçkaje që ndodhi gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilën unë e quaj agresion, marrëdhëniet janë dëmtuar rëndë. Nëse kriminelët e luftës fshihen ose lavdërohen, nuk mund të flasim për marrëdhënie të mira fqinjësore”, deklaroi Konakoviq.

Ai iu referua konkretisht veprimeve politike të Serbisë, duke kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për ftesën drejtuar Milorad Dodikut, ish-presidentit të entitetit të Republikës Srpska dhe person i dënuar, për të marrë pjesë në një konferencë për shtyp.

“Nëse keni një konferencë për shtyp dhe e respektoni Bosnjën dhe Hercegovinën, pse Vuçiq e ftoi Dodikun, një individ të dënuar, të qëndronte pranë tij dhe më pas të dërgonte mesazhin se do të ketë ushtrinë më të fortë në rajon? Željka Cvijanović dhe Dodik qëndruan pranë tij në Beograd. Ai ftoi ish-presidentin e dënuar të entitetit (Republika Srpska) të ishte krah tij dhe foli për ushtrinë më të fortë në rajon. A është ky respekt? A është e drejtë?”, pyeti Konakoviq.

Megjithatë, Konakoviq theksoi se ekziston hapësirë për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e projekteve infrastrukturore, ku ekziston një interes i përbashkët për të gjitha vendet e rajonit.

Në përfundim të fjalimit të tij, Konakoviq theksoi gatishmërinë për dialog, por vetëm me respektim të qartë të fakteve dhe përgjegjësive që rrjedhin nga e kaluara.

(Burimi: KP, raportimi i Klic Danas)