Moti me diell këtë fundjavë, por i ftohtë në mëngjes dhe mbrëmje

Kosova do të përjetojë një fundjavë me mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare, megjithatë mëngjeset dhe mbrëmjet do të mbeten të ftohta.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), dita e shtunë do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të variojnë nga 0°C deri në 3°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 10°C deri në 15°C.

Edhe dita e diel do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë të ngjashme, nga 0°C deri në 3°C, ndërsa ato maksimale pritet të ngjiten nga 13°C deri në 17°C.

Kushtet biometeorologjike vlerësohen përgjithësisht të favorshme. Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta gjatë orëve të para të ditës dhe në mbrëmje, rekomandohet veshje e përshtatshme, sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.