Muja në Vjenë, thellohet bashkëpunimi Kosovë-Austri në bujqësi
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, u prit në Vjenë nga homologu i tij austriak, Ministri Federal i Bujqësisë, Pylltarisë, Klimës dhe Menaxhimit të Ujërave, Norbert Totschnig. Në takim u diskutua thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe përparimi i reformave në sektorin e bujqësisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, në fokus të bisedimeve ishte edhe procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe harmonizimi i politikave bujqësore me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministrat shkëmbyen gjithashtu përvoja mbi forcimin e sistemit zyrtar të kontrollit të ushqimit, zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtjes nga breshëri, digjitalizimin në bujqësi, si dhe bashkëpunimin ndërmjet instituteve bujqësore dhe institucioneve kërkimore të të dy vendeve.
Në diskutime u theksuan edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional, përmes shkëmbimit të ekspertëve, nëpunësve, studiuesve dhe studentëve. Kjo synon forcimin e kapaciteteve profesionale dhe transferimin e njohurive mes dy shteteve.
Ministri Muja falënderoi homologun austriak për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës. Ai theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve do të kontribuojë në modernizimin e sektorit të bujqësisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.
