Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës se procesi i themelimit të legjislaturës së re u përmbyll pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve.

Lidhur me votimin e nënkryetares nga Lista Serbe dhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kësaj partie, Murati theksoi se pozita e nënkryetarit që përfaqëson komunitetin serb është e përcaktuar me Kushtetutë. Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ia ka dhënë këtë të drejtë Listës Serbe.

“Siç e dini, çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar në Kushtetutë. Ne, gjatë legjislaturës së vitit 2015, kemi këmbëngulur dhe kemi proceduar me votimin e zotëri Nenad Rašić”, tha ai, duke rikujtuar raste të mëparshme.

Murati shtoi se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që, nëse Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb, atëherë posti i nënkryetarit i takon kësaj liste.

“Kohët e fundit, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se nuk mund të ketë kandidat tjetër përderisa Lista Serbe e ka shumicën; nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Pra, nënkryetarin e Kuvendit Listës Serbe ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje, në legjislaturat e kaluara, kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar ndryshe përbërjen e Kryesisë së Kuvendit.

“Dhe ne, siç e dini, kemi këmbëngulur dhe kemi votuar kundër të gjithë kandidatëve nga Lista Serbe në legjislaturat e kaluara, me qëllim që të mbështesnim një kandidat të vetëm të komunitetit serb që nuk vinte nga Lista Serbe. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, në fillim të këtij viti, me atë gjykim të dhënë ka vendosur që pozita e tillë i takon Listës Serbe, përderisa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai./Ekonomia Online