Ministri Murati sqaron kriteret për pagën e 13-të në sektorin publik
Prishtinë – Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka zbardhur detajet rreth përfituesve të pagës së 13-të, pas miratimit të vendimit për zbatimin e saj nga Qeveria.
Në një deklaratë të bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë, Murati theksoi se kjo pagesë u dedikohet të gjithë punonjësve të sektorit publik, të cilët paguhen drejtpërdrejt nga Buxheti i Kosovës.
Ai shpjegoi se të gjithë ata që kanë plotësuar 12 muaj të plotë pune në sektorin publik, do ta marrin pagën e 13-të në vlerë të plotë. Ndërsa, ata që kanë më pak se një vit të plotë pune, do të përfitojnë një shumë proporcionale, në varësi të numrit të muajve të angazhimit.
Lidhur me këtë praktikë, Murati bëri të ditur se është arritur dakordësia me Thesarin për një pagesë të drejtë, duke llogaritur saktë pjesën përkatëse për çdo muaj pune. E njëjta qasje vlen edhe për punëtorët me kohë të pjesshme, për të cilët paga e 13-të do të llogaritet mbi bazën e mesatares së pagës së përfituar gjatë 12 muajve të fundit.
Ministri njoftoi gjithashtu se gratë në leje lindjeje do të trajtohen sikur të kenë qenë në punë me orar të plotë, duke përfituar kështu pagën e 13-të në vlerën e saj të plotë.
Në fund, Murati sqaroi se personat e suspenduar, qoftë aktualisht apo më herët gjatë vitit, nuk do të përfshihen në listën e përfituesve të kësaj pagese.
