**Muriqi titullar në ndeshjen vendimtare të Mallorcës për mbijetesë ndaj Villarrealit**

Sot zhvillohet java e 35-të e La Ligës, ku RCD Mallorca do të zbresë në fushë për një ndeshje kyçe në luftën për mbijetesë, duke u përballur me Villarrealin në shtëpi.

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, i cili po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, pritet të jetë titullar për Mallorcën që nga minuta e parë.

Aktualisht, Muriqi ka shënuar 21 gola dhe renditet i dyti në garën për “Këpucën e Artë” të kampionatit, vetëm tre gola pas liderit Kylian Mbappé.

Në renditjen e La Ligës, Mallorca pozicionohet në vendin e 16-të me 30 pikë, duke vazhduar të jetë thellësisht e përfshirë në betejën për mbijetesë. Diferenca nga zona e rënies është minimale, vetëm një pikë, çka e bën çdo ndeshje të mbetur deri në fund të sezonit vendimtare për fatin e skuadrës.

Në të kundërt, Villarreal gjendet në një pozicion krejtësisht ndryshe. “Nëndetësja e Verdhe” renditet në vendin e tretë me 68 pikë dhe tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.