Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar se aktualisht nuk ka sinjale për një vullnet të LDK-së për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, situata politike mbetet e paqartë dhe pritet të shihet zhvillimi brenda LDK-së pas procesit të brendshëm të votëbesimit të kryetarit.

“Sa i përket koalicionit mes LVV dhe LDK-së, sinjalet janë se nuk kanë atë vullnet. Duhet me prit çka kanë me dhënë LDK. Nëse thirret Kuvendi i Përgjithshëm për me votëbesu kryetarin aktual, pas rezultatit të votëbesimit do të jetë më e qartë situata për reflektim në krijimin e institucioneve”, ka thënë Mushkolaj.

Ai shtoi se, bazuar në deklarimet e zyrtarëve të LDK-së, aktualisht nuk ekziston gatishmëri për bashkëpunim me VV-në. “Kemi dëgjuar deputetë të LDK-së që kanë thënë se i kemi votat për kryetar Kuvendi apo edhe për Qeveri, por presim çështjen e presidentit. Po përsëritet pak a shumë situata e mëparshme, ku LVV e formon fillimisht Kuvendin dhe Qeverinë, e më pas kërkon bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ai në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.

Mushkolaj theksoi se një marrëveshje e mundshme koalicioni që përfshin edhe çështjen e presidentit do ta lehtësonte procesin, por sipas tij aktualisht një vullnet i tillë nuk po shihet. Ai shtoi se mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen proceset brenda LDK-së dhe cili do të jetë qëndrimi i kryetarit Lumir Abdixhiku pas votëbesimit.