**Ariana Musliu-Shoshi kërkon unitet politik: “Uniteti ynë sot e mbron Kosovën”**
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka shprehur shqetësimin se institucionet e Kosovës nuk po e trajtojnë me seriozitet çështjen e proceseve gjyqësore ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale.
Ajo ka bërë thirrje për unitet të spektrit politik gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Musliu-Shoshi theksoi rëndësinë e bashkimit të deputetëve, duke shkruar:
“Fakti që Kuvendi mblidhet 12 ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale për të miratuar një deklaratë (e cila nuk ka asnjë fuqi ligjore), tregon se shteti ynë nuk po e trajton seriozisht këtë çështje! Mos harroni: pas kësaj beteje, do të gjykohet pavarësia jonë nga të njëjtët aktorë. Uniteti ynë sot e mbron Kosovën!”
