**Musliu-Shoshi: Radha e Kuvendit për Ndryshimin e Ligjit të Speciales**
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm veprimin e Qeverisë Kurti për dërgimin në Kuvend të projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu-Shoshi theksoi se pas dërgimit nga Qeveria, tani është radha e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka kërkuar që ligji të shqyrtohet dhe të votohet në të dy leximet, ndërsa procedura, sipas saj, duhet të nisë menjëherë, madje që në seancën e sotme të Kuvendit, duke marrë parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve.
Përveç kësaj, deputetja e PDK-së ka theksuar nevojën për një strategji të koordinuar juridike dhe diplomatike të Kosovës, me përfshirjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Kjo strategji, sipas Musliu-Shoshit, duhet të shërbejë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Musliu-Shoshi paralajmëroi se nëse vendi shkon në zgjedhje pa përfunduar këtë proces të rëndësishëm, rrezikohet të pamundësohet mbështetja institucionale që i detyrohet çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës së lirisë.
Në fund, ajo nënvizoi se kjo çështje qëndron mbi interesat partiake dhe kalkulimet politike. “Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror,” përfundoi Musliu-Shoshi.
