Arben Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë qenë pasqyrim real i disponimit të qytetarëve. 

Mustafa ka thënë se data 28 dhjetor, ka qenë e pazakontë për mbajtje të zgjedhjeve e po ashtu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka shpërndarë para. 

“Dihet se data 28 dhjetor asnjëherë s’ka qenë datë normale për mbajtje të zgjedhjeve. Është kohë kur një pjesë e madhe e qytetarëve kanë lëshuar Kosovën për të shkuar në vizita e pushime e në anën tjetër patëm influks të madh të diasporës – njerëzve që e duan Kosovën, por nuk e jetojnë çdo ditë jetën këtu. Çka do të thotë se 28 dhjetori s’ka qenë pasqyrim real i gjendjes dhe besimit të qytetarëve të Kosovës në Qeveri”, ka thënë Mustafa në “Konfront” të KTV-së. “Duhet pasur parasysh edhe se në zgjedhjet e dhjetorit kishte skema korruptive elektorale nga kjo Qeveri, e cila në mungesë të çfarëdo suksesi që ka pasur filloi të përdorte instrumentin e vetëm që i ka mbetur – me shpërnda para te qytetarët”, tha ai, shkruan KOHA.