Policia elitare serbe mbron Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, Ministria e Brendshme serbe hesht

Televizioni N1 ka raportuar të hënën se Milan Radojiçiq, i cili akuzohet si kreu i grupit terrorist që organizoi sulmin në Banjskë, dhe Zvonko Veselinoviq, po mbrohen nga njësitë elitare të policisë së Serbisë.

Sipas raportimit të televizionit serb, kjo situatë vjen pas një vrasjeje të ndodhur në Senjak dhe pas arrestimit të ish-shefit të policisë së Beogradit.

Në raportimin e tij, N1 thekson se pas këtyre ngjarjeve, presidenti i Serbisë kishte premtuar se oficerët e policisë nuk do të ruanin më “manjatët dhe kriminelët”. Ndërkohë, N1 zbulon se anëtarë të njësive më elitare të policisë serbe po ruajnë “biznesmenët nga Kosova”, Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.

Ministria e Brendshme e Serbisë, e pyetur për këtë çështje, nuk ka dhënë asnjë përgjigje për më shumë se një javë, shkruan N1.