Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan

Avokati i Popullit, bazuar në ankesat e pranuara, informacionet e dërguara nga OJQ të ndryshme, si dhe ato të mbledhura nga mediat, ka vendosur të nisë hetime kryesisht (ex officio) lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policorë ndaj personave të arrestuar gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor 2026.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur këto hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët thonë se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike e psikologjike gjatë transportimit të tyre në stacionet policore. Ata po ashtu pretendojnë se u janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore njerëzore.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë.

Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informacioneve dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor.

Pas përfundimit të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, në përputhje me kompetencat e tij ligjore.