**Çmimi i naftës arrin pikën më të lartë që nga viti 2022**

Çmimet e naftës bruto kanë shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2022. Kjo rritje vjen pas raportimeve se ushtria amerikane do të njoftojë presidentin Donald Trump për plane të reja lidhur me veprime të mundshme në përballjen me Iranin.

Sipas faqes së lajmeve Axios, të cilën e ka cituar BBC dhe transmetuar Klankosova, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka hartuar një plan për një seri sulmesh “të shkurtra dhe të fuqishme” kundër Iranit. Qëllimi është thyerja e bllokimit në negociatat me Teheranin.

Nafta bruto e tipit Brent u rrit me gati 7%, duke arritur në mbi 126 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i lartë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

Rritja e çmimeve të energjisë këtë javë është lidhur gjithashtu me ngecjen e bisedimeve të paqes dhe faktin që kanali kryesor i Ngushticës së Hormuzit mbetet praktikisht i mbyllur, duke ndikuar në fluksin e tregtisë së naftës.