NATO shpjegon mosftesën e Kosovës në Samitin e Ankarasë: Nuk lejojmë të rrezikohet siguria rajonale
Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara të Turqisë, një vendim që ka nxitur debate të shumta brenda vendit. Kjo mosftesë vjen pas pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e vitit 2024 në Washington, ku ishte përfaqësuar nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani.
Ndonëse Osmani e cilësoi historike ftesën për Samitin e Washingtonit, ajo sqaroi se nuk kishte marrë pjesë në takimin kryesor, pasi aty marrin pjesë vetëm shtetet anëtare të Aleancës Veriatlantike.
Lidhur me mosftesën aktuale, Qeveria e Kosovës ka shpjeguar se NATO nuk fton shtete joanëtare në samitet e saj kryesore. Edhe Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se në raste të mëparshme, Kosova është ftuar vetëm për aktivitete specifike në margjinat e Samitit të NATO-s.
Një zyrtar i Aleancës ka deklaruar për Gazetën Express se temat kryesore të Samitit në Ankara do të jenë investimet dhe prodhimtarët industrialë të mbrojtjes, si dhe mbështetja për Ukrainën. Sipas tij, pjesëmarrës në këtë Samit do të jenë 32 Krerët e Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe partnerë të Aleancës, duke përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, vendet e Indo-Paqësorit dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit. Gjithashtu, do të organizohet Forumi i Samitit të NATO-s për Industrinë e Mbrojtjes, ku do të marrin pjesë liderë nga industria në të gjithë Aleancën.
Duke iu referuar rajonit të Ballkanit Perëndimor, zyrtari i NATO-s theksoi se ky rajon mbetet lart në agjendën e Aleancës dhe ka një rëndësi strategjike. Ai konfirmoi përkushtimin e palëkundur të NATO-s për stabilitetin e rajonit, duke u shprehur se nuk do të lejohet krijimi i asnjë boshllëku në siguri.
“KFOR-i, në kuadër të një mandati të gjatë të OKB-së, vazhdon të luajë një rol thelbësor në sigurinë e Kosovës. NATO bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, dhe mbështet Operacionin Althea të udhëhequr nga BE në Bosnjë dhe Hercegovinë përmes Marrëveshjeve Berlin Plus. Të gjitha këto veprime ndërmerren për të siguruar paqen në rajon, sepse siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne, dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet,” përfundoi zyrtari i NATO-s.
