Ndërron jetë Dr. Zekë Zeka, anesteziologu i njohur dhe humanisti i luftës
Dr. Zekë Zeka, një figurë e shquar e mjekësisë kosovare, ka ndërruar jetë. Ai mbahet mend si një anesteziolog dhe specialist i mjekimit intensiv me kontribute të jashtëzakonshme në sistemin shëndetësor të Kosovës, si dhe për përkushtimin e tij humanitar gjatë luftës, ku trajtoi ushtarët e plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Studimet e mjekësisë së përgjithshme Dr. Zeka i përfundoi në Universitetin e Beogradit, ndërsa specializimin në Anesteziologji dhe Reanimacion e kreu në Qendrën Universitare Spitalore në Tiranë. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai mbajti pozita kyçe drejtuese, përfshirë atë të drejtorit të Klinikës së Anesteziologjisë, Mjekimit Intensiv dhe Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Me përkushtimin e tij profesional, ai kontribuoi thelbësisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe në avancimin e fushave të specialitetit të tij.
Përveç punës klinike, Dr. Zeka dha kontribut edhe në fushën akademike. Në vitin 1995 u pranua si asistent i lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ai mori pjesë aktive në simpoziume dhe konferenca shkencore, si dhe publikoi punime të shumta si autor dhe bashkautor. Studimet pasuniversitare i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së magjistraturës më 4 maj 2006.
Një kapitull i rëndësishëm i jetës së tij ishte kontributi humanitar dhe profesional gjatë luftës në Kosovë, ku me guxim dhe përkushtim trajtoi ushtarët e lënduar të UÇK-së, duke dëshmuar vlerat e tij njerëzore dhe profesionale edhe në rrethana tejet të vështira.
Në shenjë vlerësimi për veprën e tij jetësore dhe shërbimin ndaj shoqërisë, Oda e Mjekëve të Kosovës e nderoi Dr. Zekën më 22 tetor 2026 me dekoratën për merita të veçanta “Ali Sokoli”.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij për këtë humbje të madhe.
