**FSHF ofron ndihmë për tifozin e plagosur rëndë gjatë protestës, flet presidenti Duka**
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u plagos rëndë gjatë një proteste. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vishkulli, anëtar i grupimit ‘Tifozët Kuqezi’, u godit në sy nga municioni i gomës i policisë, teksa merrte pjesë në protestën që kërkonte dorëheqjen e kryeministrit Rama. Incidenti i rëndë i ka shkaktuar plagë të thella dhe 28-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale një ditë më parë.
Lidhur me këtë ngjarje, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shprehu shqetësimin e tij, duke konfirmuar mbështetjen e Federatës për tifozin.
“Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit, po kështu edhe tifozët kuq e zi dhe mbështetësit e përkushtuar të kombëtares sonë. Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen. Erjoni ka qenë pranë kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij. Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon!” – shkruante presidenti Duka në postimin e tij.
