Artisti amerikan Peter Max, i njohur për veprat e tij shumëngjyrëshe dhe stilin psikodelik që u bë simbol i lëvizjes “flower power” të viteve ’60, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Max ndërroi jetë të hënën, ndërsa lajmin e konfirmoi djali i tij, Adam Max, përmes një deklarate të publikuar të mërkurën. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur.

“Do ta kujtojmë për krijimtarinë e jashtëzakonshme, ngrohtësinë, kureshtjen dhe mënyrën se si shihte bukurinë dhe mundësitë kudo”, shkroi Adam Max.

“Arti i tij u bë pjesë e kulturës amerikane, por njeriu pas atij arti – babai që njihnim dhe donim – është ai që do të na mungojë më shumë.”

Një stil që përcaktoi një epokë

Peter Max e nisi karrierën në dizajn grafik gjatë viteve ’60 dhe shumë shpejt u bë i njohur për figurat karakteristike, ngjyrat e forta dhe format valëzuese që përfaqësonin optimizmin dhe frymën e “flower power”.

Falë stilit të tij të drejtpërdrejtë dhe të aksesueshëm, veprat e Max vazhduan të mbeteshin të njohura dhe të kërkuara edhe shumë dekada më vonë.

Ai vetë e përshkruante artin e tij si të orientuar gjithmonë drejt paqes.

“Nuk trajtoj në pikturat e mia gjëra negative. Nuk ndalem tek ato as në mendjen time dhe as në telajo”, kishte deklaruar Max.

Nga Olimpiada te Super Bowl dhe Kupa e Botës

Gjatë karrierës, Max u angazhua si artist zyrtar për disa prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë, përfshirë Lojërat Olimpike, Super Bowl, Indianapolis 500, Kupën e Botës dhe World Series.

Arti i tij u përdor edhe në një avion Boeing 777 dhe në një anije të kompanisë Norwegian Cruise Line.

Ai realizoi portrete të shumë figurave publike, nga presidentët amerikanë deri te Taylor Swift.

Në kulmin e famës, në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70, punimet e tij me lule, motive kozmike dhe figura të stilizuara, të realizuara me ngjyra të forta si turkeze, portokalli dhe jeshile neon, gjendeshin pothuajse kudo.

Posterët e tij mbulonin muret e dhomave të studentëve, ndërsa dizajnet shfaqeshin në orë, mbulesa krevati, veshje dhe objekte të ndryshme shtëpiake.

Ai realizoi madje edhe kopertina për “Manhattan Yellow Pages”, ndërsa në vitin 1969 u shfaq në kopertinën e revistës “Life”.

Nga Berlini në New York

Peter Max lindi me emrin Peter Max Finkelstein në vitin 1937 në Berlin, në një familje hebreje.

Kur ishte ende foshnjë, familja e tij u largua nga Gjermania naziste dhe u vendos në Shanghai. Më vonë ata jetuan në Tibet, Izrael dhe Paris, përpara se të shpërnguleshin përfundimisht në New York kur Max ishte 16 vjeç.

Në atë kohë, ai ishte tashmë i apasionuar pas kulturës amerikane – komikëve, filmave dhe muzikës jazz.

Në vitet ’60, stili i tij unik tërhoqi vëmendjen e agjencive të reklamave, revistave, korporatave dhe industrisë së kulturës pop, duke e kthyer artin e tij edhe në një sukses të madh tregtar.

“Puna ime, mund të them, pothuajse u shfrytëzua”, kishte thënë ai. “Ishte në filxhanë, çarçafë, fustane, mëndafsh, shalle dhe kravata – në rreth 70 linja produktesh.”

Në fillim të viteve ’70, Max e mbylli përkohësisht biznesin për t’u rikthyer te krijimtaria artistike.

Portretet e Statujës së Lirisë

Një nga projektet më të njohura pas rikthimit në jetën publike ishte seria e portreteve të Statujës së Lirisë.

Në vitin 1981, me ftesë të zonjës së parë Nancy Reagan, ai punoi mbi këtë projekt edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Probleme ligjore dhe familjare

Karriera e gjatë e Max nuk ishte pa polemika.

Në vitin 1997 ai u deklarua fajtor për mashtrim tatimor, pasi autoritetet amerikane pretenduan se kishte fshehur më shumë se një milion dollarë të ardhura nga arti i tij.

Fillimisht u dënua me dy muaj burg, por më vonë iu lejua ta kryente dënimin përmes një programi pune. Ai gjithashtu pagoi taksat e prapambetura dhe një gjobë prej 30 mijë dollarësh, si dhe kreu 800 orë punë në komunitet duke mësuar art në shkollat e Harlem-it.

Në vitin 2015, jeta familjare e artistit u bë pjesë e mediave tabloide për shkak të një konflikti mes gruas së tij të dytë, Mary, dhe djalit të tij Adam.

Palët akuzuan njëra-tjetrën për keqmenaxhim të financave, izolim dhe pronësi të veprave artistike. Mary Max vdiq në vitin 2019.

Lidhjet me Beatles dhe spiritualitetin lindor

Arti i filmit dhe albumit “Yellow Submarine” të Beatles shpesh i është atribuar gabimisht Peter Max.

Në fakt, dizajni zyrtar i veprës i takon artistit Heinz Edelmann.

Megjithatë, Max kishte miqësi me anëtarët e Beatles dhe me shumë figura të tjera të njohura të kulturës pop.

Ai kishte gjithashtu një interes të thellë për spiritualitetin lindor dhe luajti rol në sjelljen në SHBA të “Swami” Satchidananda Saraswati, duke ndihmuar në popullarizimin e jogës në vend.

Martesa e parë e Max me Elizabeth Nance përfundoi me divorc.

Ai la pas djalin Adam dhe vajzën Libra. /GazetaExpress/