Marina Italiane inspekton cisternën e dyshuar ruse në Mesdhe: Zbardhen detajet e operacionit
Marina Italiane ka kryer një operacion inspektimi ndaj një cisterne nafte, e dyshuar si ruse, në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit Pantelleria, midis Siçilisë dhe Tunizisë. Ky operacion u zhvillua në kuadër të misionit europian EUNAVFOR MED IRINI, i cili ka për qëllim monitorimin e trafikut të armëve dhe naftës në Mesdhe.
Anija italiane “Thaon di Revel” u afrua dhe më pas një ekip i saj inspektoi cisternën “Toa Payoh”. Kjo anije është nën sanksionet e Bashkimit Europian dhe konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë” ruse.
Qëllimi kryesor i kontrollit ishte verifikimi i kombësisë së anijes, e cila përcaktohet nga flamuri që ajo mban. Sipas të dhënave, “Toa Payoh” lundronte nën flamurin e Kamerunit.
Cisterna ishte nisur më 16 korrik nga porti i Kotonusë në Benin, me destinacion Stambollin, por u ndalua në perëndim të Pantellerias. Autoritetet italiane bënë të ditur se kapiteni i anijes fillimisht nuk bashkëpunoi gjatë kontrollit.
Për pasojë, një ekip ushtarak italian mbërriti në bord me helikopter nga anija “Thaon di Revel” dhe kreu verifikimet e nevojshme.
Operacioni, i mbështetur edhe nga një anije greke dhe një avion patrullimi detar polak, zgjati rreth dy orë dhe përfundoi pa incidente. Ministria Italiane e Mbrojtjes theksoi se kontrolli u krye në përputhje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).
Aktualisht, autoritetet italiane po shqyrtojnë informacionet dhe dokumentet e mbledhura gjatë inspektimit.
