Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka sqaruar ndërhyrjen e ashpër që bëri gjatë konferencës së shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Bahtiri tha se aty shkoi me konsultim paraprak me kryeministrin Kurti, transmeton IndeksOnline.

“Nëse përnjëmend i kanë ato nënshkrime, le t’i japin, e mos t’i mbajnë “në ajër”, mos të luajnë me popullin e Kosovës. Mjaft është mjaft!” ka thënë Bahtiri.

Sipas tij, LVV-ja po bën të pamundurën për të zgjedhur presidenten sonte, ndërkohë që LDK-ja, sipas tij, po bën teatër me një letër nënshkrimesh.

Ky është postimi i plotë i tij:

Mirëmbrëma të dashur qytetarë!

E di se jeni duke e përcjellë me vëmendje situatën aktuale në kuvend, prandaj e ndjej obligim moral që t’iu jap sqarim.

Me konsultim paraprak me kryeministrin Kurti, shkova në vendin ku po mbahej konferenca për shtyp e LDK-së që t’i kërkoj nënshkrimet në mënyrë që sa më shpejt të gjejmë zgjidhjen për çështjen e  Presidentes. Nëse përnjëmend i kanë ato nënshkrime, le t’i japin, e mos t’i mbajnë “në ajër”, mos të luajnë me popullin e Kosovës. Mjaft është mjaft!

Ne po bëjmë të pamundurën që ta zgjedhim Presidenten sonte, ndërkohë që ata bëjnë teatër, me një letër nënshkrimesh në të cilën figuron data 25 prill e jo 27 prill, dhe në të cilën nuk ka as emër kandidati, as vule, e as protokollim. Ky popull nuk është analfabet. Sheh, din dhe kupton. Ndërsa këtë opozitë, si çdoherë, do ta ndëshkon.