Ndjekësit kritikojnë Ilir Shaqirin pas incidentit me Mimoza Ahmetin
Një incident i fundit në spektaklin “Ferma VIP” ka nxitur kritika të shumta në rrjetet sociale, duke vënë në qendër të vëmendjes Ilir Shaqirin dhe Mimoza Ahmetin.
Ngjarja fillimisht u prezantua si një çast i lehtë mes banorëve, ku Shaqiri, me shaka, i tha Ahmetit se i kishte ruajtur një pjesë ushqimi. Megjithatë, situata mori një rrjedhë tjetër kur ai, me ndihmën e banorit tjetër Adion, e kapi fizikisht dhe u përpoq t’i jepte ushqim me forcë.
Edhe pse brenda fermës momenti u trajtua me të qeshura dhe u konsiderua thjesht një lojë, reagimi i publikut ka qenë i ashpër. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale janë shoqëruar me komente të shumta kritike, ku ndjekësit e kanë cilësuar veprimin të papranueshëm dhe kërkojnë marrjen e masave ndaj personave të përfshirë.
Shumë prej tyre kanë theksuar se sjellje të tilla fizike, të kryera pa pëlqimin e personit, nuk duhet të normalizohen në ekran, pavarësisht kontekstit argëtues të formatit.
Nga ana tjetër, Mimoza Ahmeti zgjodhi ta kalonte situatën me sportivitet, pa e dramatizuar. Megjithatë, debati publik mbetet i hapur.
Deri tani, nuk ka ende një reagim zyrtar nga produksioni i “Ferma VIP”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të merren masa pas këtij incidenti, që ka nxitur polemika të forta.
