Në Prishtinë është mbajtur një ceremoni përkujtimore në nderim të mjekes, veprimtares, poetes dhe ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, e cila ka vdekur më 15 shtator, në moshën 76-vjeçare. Në këtë ceremoni, për jetën dhe veprimtarinë e Brovinës folën bashkëveprimtarë, mjekë, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjarë të figurave të luftës, duke kujtuar kontributin e saj në shërbim të vendit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, tha se Brovina ishte një nga figurat që dha shumë për atdheun dhe se veprimtaria e saj u shtri para, gjatë dhe pas luftës.
“Sot po ndahemi nga një njeri i veçantë, nga njëri prej tyre që dha aq shumë për atdhe, sa veprimtaria e saj, angazhimi para, në luftë e më pas, emrin e Flora Brovinës e bëjnë karakteristikë, të nderuar e të respektuar në rrjedhat e zhvillimit tonë kombëtar e më gjerë. Para se gjithash, ajo ishte një luftëtare e UÇK-së, e cila nga armët në brez deri në kazamatet serbe nuk e ndali veprimtarinë. Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për të furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetësore dhe me kurajën që ishte qenësore në atë kohë.Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike”.
“Duke qenë shpesh krah saj me shokë e shoqe të tjera, veprën e Dr. Flora Brovinës e njohim nga afër, ndaj pikëllimi ynë në këto çaste dhe dhimbje na bën krenarë që patëm njërën nga nënat e motrat tona, padyshim që kurdoherë u gjend në ballë të refleksioneve dhe situatave, duke mos kursyer asgjë për ditën që gëzojmë sot, për lirinë e atdheut. Përkushtimi i doktoreshës Flora Brovina pothuajse është jetësor, duke filluar nga familja e ngushtë, ndërkaq pikëpamjet atdhetare i ka artikuluar dhe në veprën e saj letrare, gjithnjë e bindur se për liri kërkohet përkushtim, kërkohet dashuri, kërkohet sakrificë”, tha ai.
Në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës foli Pleurat Sejdiu, i cili vlerësoi kontributin e Brovinës në mjekësi dhe në shërbim të qytetarëve gjatë viteve të vështira.
“Të gjithë ata që e njohin dhe e njohën, e dinë se do të rreshtoja fjalët më me shprehje, më me vërtetësi, me ngjyrat më të ngrohta, shumë ngadhënjyese, xhevahirdashëse dhe me të drejtë një përshkrim të po mbajnë këtë ndjesi, e quajnë “luanesha shqiptare”. Sot në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Këshillit të Mjekëve, përkulemi me respektin më të thellë para jetës dhe veprës së Flora Brovinës. Flora i takon atij brezi të hershëm të mjekëve shqiptarë në Kosovë, të cilët profesionin e mjekësisë nuk e patën vetëm si punë, por mision. Ajo në profesionin e vet të mjekësisë nuk u kufizua vetëm brenda mureve të spitalit apo ambulancës. Përreth viteve ’90 ajo është angazhuar edhe si gazetare në “Rilindja”, ku e pa rëndësinë se sa është e nevojshme dhe e dobishme komunikimi me popullatën, ndërgjegjësimi i saj për nevojat e shëndetit publik. Ajo përdori dijen e saj që të bëjë atë që do të duhej ta bënin institucionet tona që ishin të mbyllura si shkak primar i pushtuesve”
“Ashtu si me të vërtetë luanesha shqiptare, pas mbylljes së shkollave, të shtëpive të shëndetit, të institucioneve të tjera shëndetësore nga okupatori, ajo mori përsipër si luaneshë që t’i mbrojë luanët e vegjël, derisa luanët e mëdhenj ishin në kreshtat e Kosovës duke e dhënë gjakun. Manteli i saj i bardhëu bë në shërbim ndaj atdheut dhe i bëri një për të shpalosur humanizmin e saj. Ajo rrezikoi jo pak herë jetën si mjeke, mbajtëse e jetës si humaniste dhe rrezikoi jetën e saj duke qëndruar pranë atyre që kishin nevojë për të. Më 5 shtator 2026, për të gjitha këto dhe ato çfarë thamë para folësve tanë, Oda e Mjekëve të Kosovës mori vendim që Flora Brovina të dekorohet me dekoratën për meritë të veçantë “Ali Sokoli”. Fati deshi që për kontributin e saj shumëvjeçar në mjekësi dhe në shërbim të saj, këtë dekoratë të mos mundemi që t’ia dorëzojmë asaj sa ishte në mesin tonë”, tha ai.
Ish-ushtarja e UÇK-së, Ibadete Canolli, e kujtoi Brovinën si një grua të fortë, humane dhe të përkushtuar, nga e cila, siç tha, kishte mësuar shumë.
“Ajo ishte një grua e fortë, humane dhe e përkushtuar. Një grua që fluturonte me guximin, mirësinë dhe përkushtimin e saj. Ishte dhe mbetet modeli i gruas shqiptare në luftën për liri dhe bashkim kombëtar.
Doktoreshë, fjalët duken të vogla përballë asaj që ishe dhe asaj që le pas. Do të na mungojë zëri yt, prania jote dhe ajo forca e veçantë me të cilën na frymëzoje. Mësova shumë nga ti, mësova profesionin, mësova t’i dua pa kushte njerëzit e vendit tim.
Mësova nga forca jote, nga përkushtimi yt dhe nga mënyra se si e shihje njeriun. Por mbi të gjitha, nga ti mësova të jem njerëzore dhe të di të fal. Këto janë mësimet që do t’i mbaj me vete gjithë jetën. Ti nuk ishe vetëm një mjeke, poete dhe veprimtare e madhe. Ti ishe mbi të gjitha një njeri i madh i humanizmit dhe një luftëtare e denjë e kauzës kombëtare, një grua që me guxim dhe përkushtim i shërbeu njeriut, lirisë dhe vendit të saj. Të gjithë ne që u rekrutuam në luftën për liri ishim të përgatitur nga ti. Mirënjohje e pafund! Të desha fort dhe do të dua gjithmonë! Ende nuk mund ta besoj se përqafimi ynë i fundit do të ishte lamtumira jonë e fundit. Në ato çaste nuk e kisha menduar kurrë se po të përqafoja për të fundit herë”, tha ajo.
Në emër të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili ndodhet në Hagë, foli e bija e tij, Buna Mustafa, duke përcjellë mesazhin e tij për Brovinën.
“Nga shokët e tij në Hagë, dua t’ju shpreh dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e bashkëveprimtares e bashkëluftëtares të tyre. Ngushëllojmë familjen dhe të gjithë shoqërinë.
Përmes telefonatës, babi më obligoi të ndaj me ju disa fjali, fjalët e tij: Bota duhet të dijë se kush ishte veprimtarja Flora. Ajo ishte shpirti i rezistencës, krahu i djathtë i imi dhe i Isa Kastratit. Ishte luftëtare e gerilës. Flora ishte UÇK”, tha Mustafa.
Ish-i burgosuri politik, Bajrush Xhemajli, foli për arrestimin dhe burgosjen e Brovinës, duke rikujtuar periudhën e saj të qëndrimit në burgjet e Kosovës dhe të Serbisë.
“Pikërisht për veprimtarinë e saj patriotike çlirimtare, Flora u arrestua, u burgos dhe u dënua me 12 vjet burg. Prandaj, edhe kalvari i vuajtjeve të saj ishte pa fund. Ndarja larg fëmijëve e familjes në qelitë e ftohta të burgjeve të Kosovës e pastaj transferimi në burgjet serbe, njëherë në Pozharevc e pastaj në Nish. Në këto burgje, siç do të dëshmojë edhe vetë pas çlirimit të saj, u mbajt e izoluar pjesën më të madhe të kohës së dënimit. Megjithë këto rrethana të krijuara, doktoresha gjeti kurajën për të përballuar stoikisht krejt vuajtjet fizike e shpirtërore, pa u trembur e me dinjitet. Nuk lejoi që burgu t’i mposhtë shpirtin. Përkundrazi, vuajtja e forcoi karakterin e saj. Ajo ishte e vetëdijshme se ishte në qeli jo pse kishte bërë krim, por pse i është mohuar liria si shqiptare, për shkak të bindjeve të qëndrimit të saj ndaj okupatorit. Pas çlirimit, u bën amnistitë e të burgosurve dhe edhe doktoresha Flora u lirua. Pas burgut, Flora vazhdoi veprimtarinë e saj publike si mjeke, si poete dhe si një nga drejtueset e Lidhjes së Gruas Shqiptare të Kosovës, si humaniste dhe si deputete e Parlamentit të Kosovës. Padyshim, Flora Brovina me veprimtarinë e saj jetësore lë gjurmët e saja, ashtu që do të kujtohet me pietet”, tha Xhemajli.
Flora Brovina ka vdekur me 15 shtator në moshën 76 vjecare.
Brovina ishte e burgosur politike, veterane të luftës së UÇK-së, deputete dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Flora Brovina u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor dhe më pas studioi mjekësinë.
Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo u kthye në Kosovë. Për një periudhë punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më pas iu rikthye profesionit të mjekes.
Brovina punoi për shumë vite në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, ndërsa krahas profesionit të saj u angazhua edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.
Në skenën politike, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri më 2019.





