Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Siç njofton Kabineti i Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, ajo do ta presë homologun malazez me nderime të larta shtetërore e ushtarake, në një ceremoni të posaçme që do të zhvillohet në Vilën “Vodno”.
Më pas, janë parashikuar takime individuale mes dy presidentëve, si dhe një seancë plenare e delegacioneve maqedonase dhe malazeze.
Në kuadër të vizitës, do të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi midis këshillave rinorë të kabineteve presidenciale.
Për nesër është paralajmëruar vendosja e një kurore nga Milatoviq mbi varrin e Goce Dellçevit, në kishën “Shën Spas” në Shkup.
Gjithashtu, Siljanovska-Davkova dhe Milatoviq do të mbajnë një ligjëratë të përbashkët në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, pjesë e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
