Neymar tërhiqet nga bisedimet me klubin e MLS-së, i pakënaqur me ecurinë e negociatave
Neymar nuk do të transferohet te FC Cincinnati, të paktën për momentin, pasi ka vendosur të ndërpresë bisedimet me klubin e Ligës Amerikane të Futbollit (MLS).
Sipas raportimeve të “The Athletic”, ylli brazilian është shprehur i zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i negociatave për një transferim të mundshëm dhe ka vendosur t’u japë fund diskutimeve.
Megjithëse FC Cincinnati nuk paraqiti asnjë ofertë zyrtare, Neymar ishte i interesuar t’i bashkohej skuadrës amerikane, me kushtin që palët të arrinin një marrëveshje financiare.
Megjithatë, mungesa e progresit në negociata bëri që ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain të humbte durimin, duke u tërhequr përfundimisht nga bisedimet.
Tashmë mbetet të shihet nëse klube të tjera do të shfaqin interes konkret për Neymarin, ndërsa e ardhmja e tij vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në tregun e transferimeve.
