Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, është transferuar zyrtarisht te gjigandi gjerman Borussia Dortmund. Ky lajm vjen pas raportimeve të shumta dhe është konfirmuar nga burime të besueshme, përfshirë gazetarin Ekrem Konur, si dhe platformën “365Scores”, të cilat janë cituar nga “Gazeta Express”.

Dortmundi ka paguar klauzolën e lirimit të Asllanit te ish-klubi i tij, Hoffenheim, me vlerë prej 30 milionë eurosh.

23-vjeçari ka nënshkruar një kontratë me klubin e tij të ri, e cila do ta mbajë atë në “Signal Iduna Park” deri në vitin 2029. Aktivizimi i klauzolës së lirimit erdhi si pasojë e kualifikimit të Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve gjatë tre sezoneve të fundit, një kusht i përcaktuar në kontratën e Asllanit me Hoffenheimin.

Fisnik Asllani shkëlqeu në sezonin e fundit me fanellën e Hoffenheimit, ku arriti të shënojë 11 gola dhe të dhurojë 10 asistime në të gjitha garat.

Ai iu bashkua akademisë së Hoffenheimit në vitin 2020, duke ardhur nga akademia e Union Berlinit. Në vitin 2022, Asllani u integrua në ekipin e parë të Hoffenheimit, ndërsa më 2023 u huazua te skuadra e Austria Viennas. Më pas, në vitin 2024, ai kaloi në huazim te Elversbergu në Bundesliga 2, ku pati një paraqitje të jashtëzakonshme, duke shënuar 18 gola.

Asllani është gjithashtu një pjesë kyçe e kombëtares së Kosovës, për të cilën ka luajtur 16 ndeshje dhe ka shënuar katër gola.