**Neymar i nënshtrohet ndërhyrjes në gju në përpjekje për të siguruar vendin në Botërorin 2026**

Ylli brazilian Neymar ka dëshmuar angazhimin e tij për të siguruar një vend në listën e Carlo Ancelottit për Kupën e Botës 2026, duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje në gju gjatë periudhës kur Brazili zhvillonte ndeshje miqësore dhe ai nuk ishte grumbulluar.

Ky vendim kyç për të ardhmen e tij sportive, një operacion rigjenerues për të përshpejtuar rikuperimin dhe për t’u rikthyer në formën optimale fizike, është një mesazh i qartë për trajnerin Ancelotti: ai synon të luajë në Botërorin e tij të katërt.

Edhe pse kishte kryer një ndërhyrje të ngjashme në gju pas sezonit të kaluar në Brasileirão, këtë herë 34-vjeçari iu nënshtrua sërish një trajtimi rigjenerues me plazmë të pasur me trombocite (PRP), me qëllim forcimin e indeve të nyjës.

Duke përfituar nga ndeshjet miqësore ndërkombëtare të 26 dhe 31 marsit, kundër Francës dhe Kroacisë, Neymar e planifikoi strategjikisht ndërhyrjen mjekësore për të shmangur përplasjen me kalendarin e klubit dhe, njëkohësisht, për të fituar kohë thelbësore në përgatitje për turneun madhor të futbollit.

Kjo ndërhyrje u konfirmua nga trajneri i Santos, Cuca, i cili shpjegoi se Neymar do të mungojë në ndeshjet e ardhshme pikërisht për këtë arsye. “Ai iu nënshtrua një operacioni në gju gjatë pushimit për ndeshjet e kombëtareve. Nuk u stërvit, por kaloi disa ditë duke u rikuperuar nga ndërhyrja, e cila ishte çështje mjekësore,” deklaroi Cuca përpara debutimit në Copa Sudamericana. Ai shtoi se sulmuesi nuk do të udhëtojë këtë javë për shkak të një programi specifik stërvitor të fokusuar në forcë, shpejtësi dhe rezistencë.

Ky vendim nuk ishte i rastësishëm, pasi Neymar është i vetëdijshëm se ai mbetet pas në planet e trajnerit Ancelotti, i cili ka bërë të qartë se do të grumbullojë vetëm lojtarë që janë 100% në formë fizike. Në këtë kontekst, sulmuesi po përpiqet të dërgojë një sinjal të fortë se mund të jetë ende një faktor vendimtar për “Canarinha”.

Megjithatë, përveç dëmtimeve, mungesa e ritmit të ndeshjeve mund të jetë një faktor tjetër përcaktues në vendimin e trajnerit Ancelotti. Neymar nuk ka luajtur për Brazilin që nga ndeshja kualifikuese kundër Uruguait më 17 tetor 2023, ku pësoi edhe lëndimin në gju. Ndërsa me Santosin ka zhvilluar gjashtë ndeshje, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë tri asistime.

Ancelotti pritet të shpallë listën përfundimtare për Kupën e Botës më 18 maj, datë në të cilën do të bëhet e ditur nëse përpjekjet e Neymarit kanë dhënë rezultat.