Granit Thaqi, i lindur në vitin 1994 në Burojë të Skënderajt, ka shënuar një arritje të rëndësishme akademike, duke mbrojtur me sukses doktoratën në Gjermani.

Thaqi, i cili u rrit në vitet e luftës në Kosovë, rrugëtimin e tij arsimor e nisi në rrethana të vështira, por përmes përkushtimit dhe punës arriti të avancojë deri në nivelin më të lartë akademik.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Klinë në vitin 2013, ndërsa studimet Bachelor dhe Master i kreu në Universitetin e Prishtinës, të cilat i përfundoi në vitin 2018.

Sot, më 18 shtator, në Mynih të Gjermanisë, Granit Thaqi mbrojti me sukses doktoratën në fushën e Biologjisë Molekulare, duke marrë titullin Doktor i Shkencave të Natyrës.

Kjo arritje shënon një tjetër sukses të një të riu nga Kosova në fushën e shkencës dhe akademisë ndërkombëtare.

Doktorata është mbrojtur në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), një nga universitetet më prestigjioze në Evropë dhe në botë.