Gratë Sipërmarrëse Kërkojnë Mbështetje Më të Madhe Përballë Sfidave të Tregut dhe Mungesës së Granteve
Gratë sipërmarrëse në Kosovë përballen vazhdimisht me pengesa të ndryshme në zhvillimin e veprimtarive të tyre. Ndërsa disa kanë përfituar mbështetje për promovim dhe pjesëmarrje në panaire, shumë të tjera theksojnë se nuk kanë marrë kurrë përkrahje institucionale, pavarësisht aplikimeve të vazhdueshme. Ato kërkojnë ndihmë më të madhe financiare dhe kushte më lehtësuese për rritjen e bizneseve.
Sanije Hyseni, sipërmarrëse në fushën e argjendit antik dhe gurëve të çmuar, shprehu për Ekonomia Online shpresën se Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit do t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme.
“Unë merrem me argjend antik, me një vjetërsi 50-60 vjeçare, dhe fokusohem veçanërisht te gurët që sjellin energji pozitive ose ndikojnë në shëndet. Për shembull, punoj me gurë të çmuar si smeraldi, turkezi, ametisti, e të tjerë. Nga perspektiva e astrologjisë, ata lidhen me muajin e lindjes dhe ndikojnë në energjinë pozitive apo humor. Mimoza Kusari-Lila na siguroi se do të përpiqet me çdo kusht të na ndihmojë dhe të na sigurojë mundësi për të marrë pjesë në aktivitete jashtë vendit,” tha Hyseni.
Megjithatë, ajo theksoi se grave sipërmarrëse u nevojiten më shumë hapësira dhe kushte për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.
“Për shembull, duhet të gjenden lokacione, pasi këtë vit çdo hapësirë ishte e zënë nga shtëpiza apo shitës pijesh, ku secili ka veprimtarinë e tij. Gratë janë disi më të rrezikuara në këtë aspekt,” u shpreh ajo.
Duke folur për sfidat e grave në biznes, Hyseni theksoi se shumë prej tyre mbajnë barrën kryesore ekonomike të familjes.
“Kjo do të thotë shumë, pasi shpesh e gjithë familja mund të jetë pa punë, dhe e gjithë mbështetja varet prej saj. Ka gra që punojnë me veshje kombëtare, ka të tjera që merren me prodhime artizanale në vegj, një punë kjo e rëndë dhe e kushtueshme. Për to është një ndihmë e madhe, qoftë edhe një vend i caktuar, një kioskë e vogël, ose grante e subvencione që u mundësojnë të zhvillohen,” deklaroi ajo.
Ndërkohë, Blerta Muja, themeluesja e konceptit “House of Japan”, theksoi për Ekonomia Online se për një biznes të ri, mbështetja më e rëndësishme është promovimi dhe krijimi i mundësive për prezantimin e produkteve.
“Fillimisht, do të doja të thoja se për mua kjo shërben si mbështetje e rëndësishme, pasi koncepti im është shumë i ri dhe kërkon vetëdijesim në popullsi. E shoh si një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar produktet që prodhojmë. Në terma afatgjatë, e shoh mbështetjen në formën e granteve dhe subvencioneve, pasi synohet zgjerimi i prodhimit dhe transformimi në një manufakturë, gjë që normalisht kërkon mjete financiare,” tha Muja.
Sipas saj, tendenca e mbështetjes për gratë në biznes është pozitive.
“Për mendimin tim, aktualisht gjërat po shkojnë mirë; qëllimi dhe vullneti ekzistojnë. Dëgjuam edhe shifra që tregojnë rritje të punësimit të grave në Kosovë, prandaj besoj se jemi në rrugën e duhur,” u shpreh ajo.
Ndërkaq, Havushe Bunjaku, pronare e biznesit “99 Lule”, deklaroi për Ekonomia Online se, pavarësisht themelimit të biznesit në vitin 2010 dhe posedimit të certifikimeve, nuk ka marrë kurrë mbështetje nga institucionet.
“Si biznes, i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar që në vitin 2010, me certifikim organik, ne nuk kemi pasur asnjëherë përkrahje nga qeveria apo ministritë, ndonëse kemi aplikuar shumë herë. Megjithatë, biznesi ka realizuar shumë projekte në partneritet me organizata të ndryshme ndërkombëtare. Panairet janë të dobishme, sepse na lidhin me konsumatorët; edhe pse kemi shumë vite në treg, kur zhvillojmë produkte të reja, i prezantojmë në këto panaire, dhe kjo ka vlerën e saj. Por, bizneset e grave kanë nevojë për shumë më tepër përkrahje,” tha ajo.
Bunjaku theksoi se sfidat nuk kufizohen vetëm në themelimin e një biznesi, por vazhdojnë edhe gjatë zhvillimit të tij.
“Kam një përvojë të gjatë në këtë sektor; prej 16 vitesh jam angazhuar ekskluzivisht në fushën e bimëve mjekësore aromatike dhe frutave të pyllit, të cilat i grumbullojmë, por edhe i kultivojmë. Kam mbi 50 gra të kontraktuara, të cilave ua blej produktet. Është e vështirë të fillosh një biznes, por është po aq e vështirë ta mbash dhe ta zhvillosh atë gjatë rrugës, sepse problemi qëndron te tregu dhe plasimi i produkteve. Ne, si prodhime vendore, Kosova si një vend i ri, dhe gratë që nuk kemi kapital të madh për të investuar menjëherë, për t’u vendosur dhe depërtuar në treg, hasim në një problem shumë të madh në Kosovë,” deklaroi ajo.
Sipas saj, mbështetja për gratë sipërmarrëse do të ndikonte jo vetëm te një biznes i vetëm, por në krijimin e një zinxhiri më të gjerë ekonomik.
“Duhet të balancohet tregu dhe prodhuesve vendorë t’u jepet mundësia të plasojnë produktet e tyre. Të mbështeten gratë, bizneset e grave, veçanërisht ato të qëndrueshmet, sepse nuk është vetëm një grua që fillon një biznes; unë, për shembull, kam të angazhuara gra të tjera. Përveçse gruaja vetë zhvillohet dhe krijon të ardhura për familjen e saj, ajo i jep dorën edhe një gruaje tjetër. ’99 Lule’ ka pasur një ndikim shumë të madh në këtë sektor, pasi unë isha gruaja e parë që regjistrova një biznes të tillë të bimëve mjekësore aromatike (më parë, pronarë të këtyre bizneseve ishin vetëm burrat, ndërsa gratë punonin në ferma). Duke qenë pionierja, inkurajova edhe gra të tjera të fillojnë të merren me këtë veprimtari. Sot jam shumë e kënaqur dhe mund të them se, falë shembullit tim, njoh dhe takoj shpesh gra që kanë nisur të njëjtën veprimtari,” shtoi Bunjaku.
