**Kuvendi i Kosovës: 550 ditë ngërç, vetëm 15% punë funksionale**
Për gati 470 ditë, në harkun kohor të më pak se 19 muajve, Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pakonstituuar ose jofunksional. Që prej zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, Kosova po përballet me një cikël zgjedhjesh të njëpasnjëshme, si pasojë e pamundësisë për të arritur marrëveshje ndërmjet partive politike për formimin e institucioneve. Pas tri palë zgjedhjeve – ato të shkurtit dhe dhjetorit 2025, si dhe të qershorit të këtij viti – kosovarët mund të përballen me një tjetër palë zgjedhjesh, nëse partitë nuk bien dakord këtë herë për pozitën e presidentit.
Më 9 shkurt 2025 u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, rezultatet e të cilave u certifikuan më 27 mars. Por ngërçi nisi kur Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse fitoi mbi 42 për qind të votave, nuk arriti të siguronte mbështetjen e shumicës së thjeshtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Pas 57 seancave të pasuksesshme, Kuvendi u bë me kryetar Dimal Bashën vetëm më 26 gusht. Ngërçi rifilloi me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, dhe më 10 tetor Kuvendi u konstituua me Nenad Rashiqin si nënkryetar.
Pra, nga 9 shkurti deri më 10 tetor, Kosova nuk pati një Kuvend të konstituuar – një periudhë prej më shumë se 240 ditësh pa konstituim.
Megjithatë, pas konstituimit, ngërçi vazhdoi me mossigurimin e votave për formimin e Qeverisë. Në dy tentime, Vetëvendosje nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme. Fillimisht, Albin Kurti dështoi më 26 tetor, dhe pas tij, edhe Glauk Konjufca më 19 nëntor. Kuvendi mbeti i konstituuar për 40 ditë, por pa vendimmarrje.
Zgjedhjet e parakohshme u caktuan për 28 dhjetor. Në këto zgjedhje, Vetëvendosje u rendit e para me mbi 51 për qind të votave. Legjislatura e re u konstituua më 11 shkurt 2026, ditë kur u formua edhe Qeveria e re. Nga 20 nëntori 2025 deri më 11 shkurt 2026, ishin edhe më shumë se 80 ditë gjatë të cilave Kuvendi qëndroi i shpërndarë.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, ngërçi u zhvendos te pozita e presidentit. Periudha nga 11 shkurti deri në fund të prillit shënohet si “më e suksesshmja”, ku Kuvendi “mbijetoi” dhe funksionoi i konstituuar për “plot” 76 ditë. Për shkak të mungesës së marrëveshjes për një emër të përbashkët për president, Kuvendi u shpërnda më 28 prill, duke caktuar zgjedhje të reja të parakohshme.
Zgjedhjet u mbajtën më 7 qershor. Nga 28 prilli deri në atë ditë, ishin edhe 40 ditë pa punë për Kuvendin e Kosovës.
Vetëvendosje, në zgjedhjet e fundit, mori 47 për qind të votave dhe aktualisht i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, kjo parti vlerëson se pa një marrëveshje për presidentin, formimi i institucioneve të tjera nuk do t’i shmangë zgjedhjet e reja.
Kuvendi tashmë e ka tejkaluar afatin 30-ditor, të paraparë me Kushtetutë, për konstituim pas certifikimit të rezultateve. Vetëvendosje ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por palët nuk kanë arritur të finalizojnë ndonjë marrëveshje. Partitë e tjera kanë refuzuar takime të mëtejshme me z. Kurti.
Në total, që nga dita e zgjedhjeve të fundit, kanë kaluar edhe 66 ditë të tjera pa një Kuvend funksional.
Nga 9 shkurti 2025 deri sot, kanë kaluar rreth 550 ditë. Në përqindje, kjo nënkupton se për këtë periudhë, Kuvendi ka qenë jofunksional për rreth 85 për qind të ditëve.
