Në ministrinë e Mbrojtjes ka nisur gara European Defense Tech Hackathon, e organizuar nga ministria e Mbrojtjes, Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo ngjarje bashkon profesionistë, ekspertë dhe inovatorë vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të zhvillimit të zgjidhjeve inovative për adresimin e sfidave konkrete në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në ceremoninë e hapjes, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të mbrojtjes, komunitetit të teknologjisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ministri vlerësoi se kjo garë përbën një mundësi për të shndërruar njohuritë dhe idetë e pjesëmarrësve në zgjidhje praktike për nevojat e institucioneve të sigurisë.

Në garë po marrin pjesë 120 profesionistë, të cilët gjatë tri ditëve do të punojnë në ekipe për zhvillimin e zgjidhjeve për këto sfida:

– OSINT dhe kërcënimet hibride: përdorimi i inteligjencës artificiale për analizimin e burimeve të hapura dhe identifikimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformimit.

– Mbrojtja kibernetike e infrastrukturës kritike: përdorimi i inteligjencës artificiale për zbulimin dhe analizimin e kërcënimeve kibernetike.

– Zbulimi automatik i dronëve dhe monitorimi i situatës ajrore: zhvillimi i zgjidhjeve për identifikimin, klasifikimin dhe gjurmimin e dronëve.

Gara do të përmbyllet me prezantimin dhe demonstrimin e zgjidhjeve të zhvilluara, vlerësimin e tyre dhe shpalljen e ekipeve fituese.