**Protestë në Fushë-Kosovë: Operatorët e transportit bllokojnë rrugën para Komunës**
Operatorët e transportit të udhëtarëve në Fushë-Kosovë kanë nisur sot një protestë, duke bllokuar me autobusë rrugën para ndërtesës së komunës.
Si pasojë e kësaj proteste, rruga “Tahir Zemaj” është bllokuar plotësisht për qarkullim. Në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia e Kosovës, e cila po monitoron zhvillimin e protestës dhe menaxhon trafikun në zonë.
Në protestë marrin pjesë kompanitë e transportit si “PEP Trans”, “Egzoni Tours” dhe “Eni Trans”. Ato kërkojnë nga komuna zgjidhje për problemet e tyre me linjat e transportit drejt Prishtinës.
Kjo protestë ishte paralajmëruar të mbahej sot, mes orës 10:00 dhe 12:00, pikërisht përballë Komunës së Fushë-Kosovës.
Operatorët theksojnë se po përballen me vështirësi të mëdha në ofrimin e shërbimeve të transportit dhe kërkojnë nga komuna, si dhe nga institucionet kompetente, një zgjidhje të qëndrueshme për këtë situatë.
