Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka nisur përgatitjet për protestën e sotme, me moton “Kundër vrasjes së grave – femicidi është urgjencë kombëtare”. Kjo protestë ka si qëllim të theksojë nevojën për veprime urgjente kundër dhunës ndaj grave.

Në sheshin ku do të mbahet aktiviteti, protestuesit kanë vendosur sëpata simbolike me njolla gjaku dhe drunj, si shenjë proteste dhe kujtese për viktimat.

Protesta do të fillojë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.

Përmes një komunikate, RRGK ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, duke kërkuar nga institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave. Organizata ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës. Prandaj, theksohet se institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.

Ndër kërkesat kryesore të protestës janë: ndryshimi i kodit penal dhe përcaktimi i femicidit si vepër penale e veçantë; krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve; si dhe ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.

Po ashtu, RRGK-ja kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit, koordinim më të mirë ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet përgjegjëse.

Në thirrjen e saj, organizata ka theksuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve, të cilat kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.