Pas një periudhe të gjatë në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani ka njoftuar për largimin nga ky institucion, për të vazhduar angazhimin profesional në një institucion tjetër.

Siç raportoi më herët IndeksOnline, Dibrani do të marrë drejtimin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME).

Përmes një mesazhi lamtumirës, ai ka falënderuar zyrtarët korrektues, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat për bashkëpunimin ndër vite.

Dibrani ka renditur edhe disa nga arritjet gjatë udhëheqjes së tij, përfshirë rekrutimin e mbi 400 zyrtarëve korrektues, përfshirjen e mbi 5 mijë të burgosurve në programe rehabilituese, avancimin e infrastrukturës dhe anëtarësimin e Kosovës në Rrjetin Evropian të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (EuroPris).

“Jam krenar që po largohem duke lënë pas rezultate konkrete, kapacitete të fuqizuara, bashkëpunime të konsoliduara dhe një institucion që ka dëshmuar se mund të jetë i barabartë me institucionet më të avancuara ndërkombëtare”, ka shkruar Dibrani.

Ai u ka dëshiruar suksese të gjithë punonjësve të Shërbimit Korrektues, duke i ftuar të ruajnë profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj institucionit.

“Një kapitull përfundon, por misioni vazhdon!”, ka theksuar Dibrani.