Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të dalin të votojnë dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se më 29 shtator ka pritur në zyrën e tij drejtuesit e subjekteve politike shqiptare, takim ky që, sipas tij, ka përfunduar me marrëveshjen për të garuar së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”.

Kurti ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë të ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta.

Ai ka thënë se diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike, përmes solidaritetit, këmbënguljes dhe pjesëmarrjes.

“Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje”, ka shkruar Kurti.

Ai u ka bërë thirrje edhe bashkëkombësve që ndodhen në Kosovë dhe që kanë të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, që të udhëtojnë drejt vendlindjeve të tyre për të votuar.

Në fund, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor dhe të mbështesin listën me numrin 17, “Koalicioni Shqiptar”.

Thirrja e Albin Kurtit vjen një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, ku shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të kenë mundësi të votojnë për përfaqësuesit e tyre politikë.