Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar për të gjetur shtatë persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pas shembjes së një ndërtese në Nairobi, kryeqytetin e Kenias.
Pamje dramatike tregojnë katin e poshtëm të ndërtesës – e cila mendohet se kishte 16 ose 18 kate – duke u shembur, çka solli më pas rënien e gjithë strukturës dhe krijoi një re të madhe pluhuri që u përhap në rrugët përreth.
Dhjetëra punëtorë ndërtimi ndodheshin në katet e sipërme në momentin e shembjes, por arritën të dilnin pothuajse të padëmtuar. Personat e zhdukur mendohet se ndodheshin në dyqanet që ishin hapur në katin përdhes të ndërtesës.
Sipas BBC, ky incident ka ngritur shqetësime të reja lidhur me standardet dhe rregulloret e ndërtimit në Kenia.
Ndërtesa ishte ende në fazën e punimeve kur u shemb të premten pasdite; në pamje duken skelat që rrethojnë ende fasadën e saj. Autoritetet bënë të ditur se 11 dyqane ishin hapur tashmë në katet e poshtme.
