Kanë kaluar një javë nga ngjarja tragjike në Komunën e Malishevës, ku  humbën jetën tre persona, babai me dy fëmijët e tij, vajzën 12-vjeçare dhe djalin 9-vjeçar, si pasojë e asfiksimit nga tymi i shkaktuar në banesën e tyre.

Trupat, me kërkesë të Prokurorisë ishin dërguar në IML për obduksion, raport për të cilin familjarët ende nuk kanë pranuar përgjigje.

Ilir Berisha ishte baba i katër fëmijëve. Dy fëmijët e tjerë të të ndjerit,të cilët nuk ishin në banesë kur edhe ndodhi zjarri, vajza 13-vjeçare dhe djali katërvjeçar janë për momentin nën kujdestarinë e gjyshit dhe xhaxhait të tyre. Prindërit e tyre ishin divorcuar më parë.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Amrush Helshani, bën të ditur për KosovaPress se kjo familje ishte në banim social që nga viti 2021, e përveç skemës sociale edhe vajza që nuk i mbijetoi tymit, kishte një pension të fëmijërisë nga viti 2022.

Ai tregon se janë duke punuar në marrjen e vendimit edhe të kujdestarisë për fëmijët. Ai flet edhe për problemet e mundshme me energji elektrike dhe raportet zyrtare lidhur me rastin.

Se familja Berisha nuk ishte ankuar asnjeherë për energji elektrike, thotë edhe zyrtari i banimit social në drejtorinë e Shërbimeve Publike, Fadil Shala.

Shala ka bërë të ditur dy objektet dhe çerdhet janë të kyçura me një transformator të veçantë që është i krijuar në bazë të pëlqimit elektro-energjetik.

Ilir Berisha me dy nga fëmijët e tij humbi jetën më 16 prill në lagjen “Mirdita” në Malishevë. Fillimisht ishte dyshuar se ata humbën jetën nga një shpërthim i një bombole të gazit, por që më pas u mohua nga organet e sigurisë. Aktualisht organet kompetente janë duke u marrë me rastin, për të gjetur shkaktarin e tymit të shkaktuar në banesën e tyre./kp/