**Probleme fizike largojnë mesfushorin nga Kombëtarja**
Kombëtarja shqiptare përmbylli sot fazën përgatitore në Itali, në kuadër të dy ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve kundër Finlandës dhe San Marinos.
Pas dy ditësh stërvitje në stadiumin e Çezenës, kuqezinjtë lanë Italinë dhe u nisën drejt Finlandës, ku të shtunën do të përballen me vendasit në një ndeshje potencialisht vendimtare për kreun e grupit.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi se skuadra nuk do të jetë e plotë për këtë takim. Mesfushori Luis Hasa ka shfaqur probleme fizike dhe, për këtë arsye, është kthyer në Tiranë, ku do të vijojë procesin e rikuperimit.
Hasa pritet të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor në kryeqytet, me shpresën për t’u bashkuar sërish me ekipin për ndeshjen e fundit të grupit kundër San Marinos, e cila do të luhet më 6 tetor.
