“Nuk doja më të jetoja” – Influencerja Doresa rrëfen 4 vite bullizmi nga vajza shqiptare

Influencerja shqiptare Doresa, e cila jeton në Gjermani, ka rrëfyer së fundmi një përvojë të dhimbshme nga e kaluara e saj, duke treguar se për katër vite me radhë ka qenë viktimë e bullizmit nga një grup vajzash shqiptare.

Ky rrëfim vjen në një kohë kur në rrjetet sociale po diskutohet intensivisht rreth Jona Krasniqit të “Big Brother VIP Kosova 5” dhe grupit të saj, me të cilin publiku ka lidhur edhe përvojën e Doresës.

Përmes një videoje të publikuar, Doresa ka treguar se nëntë vite më parë, nuk do të kishte pasur kurajën të fliste kaq hapur për atë që kishte përjetuar, e aq më pak të publikonte një dëshmi të tillë.

Ajo rrëfeu se gjatë asaj kohe, ishte përballur me përpjekje të vazhdueshme për t’i shkatërruar çdo gjë në jetë, duke arritur në pikën kur nuk dëshironte më të jetonte.

Megjithatë, sot Doresa thekson se është më e fortë dhe se nuk do të lejojë më askënd ta trajtojë në të njëjtën mënyrë. Ajo u bëri thirrje të gjithë viktimave të bullizmit të mos heshtin, por të qëndrojnë të fortë dhe të ngrënë zërin kundër kësaj dukurie.

Influencerja theksoi dëshirën e saj për të shfrytëzuar audiencën e gjerë që ka ndërtuar ndër vite, me qëllim mbështetjen e personave që kanë rënë pre e bullizmit. “Sot e kam këtë ndikim që dikur dikush gjithmonë tentonte të ma merrte. Sot dua të angazhohem në emër të të gjitha viktimave të bullizmit,” u shpreh ajo.

Doresa e mbylli reagimin e saj me një thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që përjetojnë situata të ngjashme, duke i inkurajuar të mos lejojnë askënd t’ua cenojë vetëbesimin dhe dinjitetin.