Gjysmëfinalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Francës premton të jetë një nga përballjet më spektakolare të turneut.
Në njërën anë qëndron sulmi i frikshëm i francezëve, i udhëhequr nga Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise, ndërsa në anën tjetër është Spanja, e cila ka pranuar vetëm një gol në fazën me eliminim direkt.
“La Roja” hyn në këtë takim edhe me besimin e krijuar nga përballjet e fundit ndaj Francës, pasi e ka mposhtur në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe në atë të Ligës së Kombeve 2025.
Ndërkohë, “Les Bleus” synojnë ta sigurojnë finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës, shkruan “Gazeta Express”.
Pas fitores 2-1 ndaj Belgjikës në çerekfinale, Lamine Yamal u shfaq i bindur se Spanja është gati për sfidën e madhe.
“Ka vetëm dy mundësi: ose e ata arrijnë finalen e katërt të Kupës së Botës, ose ne i mposhtim për herë të tretë”, deklaroi talenti spanjoll për faqen zyrtare të FIFA-s.
“Ne nuk i frikësohemi askujt. Është e qartë se jemi dy kombëtare të mëdha, të nivelit botëror, dhe për mua ata (Franca) janë prej më të mirëve. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
Yamal theksoi se objektivi i tij kryesor nuk janë golat, por triumfi i ekipit.
“Sigurisht që doja të shënoja ndaj Belgjikës, por nuk zbres në fushë duke menduar vetëm për golat. Nëse e fitojmë Kupën e Botës, askush nuk do ta kujtojë sa gola i kam shënuar apo i kam humbur. Më e rëndësishmja është që të fitojë skuadra”, u shpreh ai. /Gazeta Express
