Cristiano Ronaldo ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij personale, pasi kapiteni i Portugalisë dhe ylli i Al-Nassr është martuar me Georgina Rodriguez në një ceremoni private civile në Cascais të Portugalisë, ku ishin të pranishëm edhe fëmijët e tyre.
Ronaldo e bëri të ditur martesën të martën, pas rreth një dekade lidhjeje me Georgina-n, përmes një fotografie të publikuar në Instagram, ku shfaqeshin unazat e martesës. Përshkrimi i tij ishte i thjeshtë dhe domethënës: “C❤️G”.
Përfaqësuesi i Ronaldos konfirmoi se ceremonia kishte ndodhur.
Sipas “Daily Mail”, ai bëri të ditur se Ronaldo dhe Georgina tashmë janë zyrtarisht burrë e grua pas një ceremonie “private dhe intime”, ku të pranishëm ishin vetëm familjarët, mbi të gjitha fëmijët e çiftit.
Përgatitjet për martesën e mbajtën Ronaldon larg grumbullimit të Al-Nassr gjatë fazës përgatitore për sezonin e ri.
Ylli portugez pritet të mungojë në ndeshjen hapëse të Al-Nassr në Saudi Pro League ndaj Al-Fateh, si dhe në përballjen ndaj Al-Diriyah në King’s Cup.
Martesa erdhi rreth një vit pasi çifti njoftoi fejesën. Përpara kësaj, për vite me radhë, lidhja e tyre kishte nxitur kureshtjen e publikut se kur do të hidhej hapi drejt martesës.
Ronaldo kishte treguar më herët se nuk e kishte bërë këtë hap sepse nuk e ndiente atë që e quante “momentin e duhur”. Gjithçka ndryshoi gushtin e kaluar, kur ai i propozoi Georgina-s me një unazë diamanti luksoze.
Duke folur më vonë për detajet e propozimit, ylli portugez tregoi se ai nuk ishte planifikuar në mënyrën tradicionale. Dy vajzat e tij luajtën një rol të rëndësishëm në vendimin që ai mori atë natë.
Ronaldo tregoi se njëra prej mikeshave të tij i kishte dhënë unazën që t’ia prezantonte Georginas. Teksa po përgatitej ta bënte këtë, dy vajzat e tij hynë në dhomë dhe i thanë:
“Do t’ia japësh unazën mamit dhe do t’i kërkosh të martohet me ty.”
Sipas Ronaldos, ai ishte “momenti i duhur”. Ai ka konfirmuar se gjithmonë e kishte ditur se një ditë do të martohej me Georginan, por nuk kishte planifikuar që propozimi të ndodhte pikërisht atë natë.
Historia e Ronaldos dhe Georginas daton në vitin 2016. Në atë kohë, Georgina punonte në një dyqan “Gucci” në Madrid, ku fati i bashkoi për herë të parë.
Georgina ka treguar më herët se gjatë takimit të parë ndjeu “flutura në stomak” kur Ronaldo hyri në dyqan së bashku me djalin e tij të madh dhe miqtë.
Ajo që nisi si një takim krejt i rastësishëm u shndërrua shumë shpejt në një histori dashurie.
Çifti u shfaq për herë të parë publikisht së bashku në ceremoninë e çmimeve FIFA “The Best” në fillim të vitit 2017.
Në mars të po atij viti, Ronaldo e bëri lidhjen publike, duke postuar në Instagram një fotografi së bashku me Georginan.
Në vitet që pasuan, çifti ndërtoi familjen që u bë qendra e jetës së tyre.
Vajza e tyre Alana Martina lindi në nëntor të vitit 2017, ndërsa në të njëjtin vit Ronaldo dhe Georgina u bënë prindër të binjakëve, Eva dhe Mateo, përmes një nëne surrogate.
Në vitin 2022, çifti përjetoi një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tyre.
Djali i tyre ndërroi jetë gjatë lindjes, ndërsa motra e tij binjake, Bella Esmeralda, mbijetoi.
Ronaldo ka folur më herët për atë periudhë të dhimbshme, duke konfirmuar se ajo përvojë e forcoi lidhjen mes tij dhe Georginas dhe se familja e ndihmoi njëri-tjetrin për ta përballuar atë periudhë të vështirë.
Gjatë viteve të fundit, Ronaldo nuk e ka fshehur lidhjen e fortë që ka me Georginan, duke e përshkruar në më shumë se një rast si partneren e tij të jetës dhe nënën e fëmijëve të tij.
Para martesës, ylli portugez kishte folur edhe për arsyen pse e kishte vonuar këtë hap. Ai shpjegonte se kishte pritur atë që e quante “klikimi” – atë ndjesinë e brendshme që do t’i tregonte se kishte ardhur momenti.
Dhe tani, pas rreth dhjetë vitesh histori dashurie, ai moment më në fund erdhi./GazetaExpress/
