Presidenti kroat Zoran Milanović ka anuluar Samitin Brdo-Brioni, duke deklaruar se nuk ka kushte për mbërritjen e presidentit serb Aleksandar Vučić në Kroaci. Ky vendim vjen si pasojë e deklaratave të fundit të Vučić-it, të cilat Milanović i konsideron në kundërshtim me qëllimet e Samitit dhe kërcënuese për stabilitetin rajonal.

Në një deklaratë zyrtare, Presidenti Milanović theksoi se, në rrethanat aktuale, ardhja e presidentit serb Aleksandar Vučić në Kroaci nuk është e realizueshme, çka e shtyu atë të anulonte takimin e radhës të Samitit Brdo-Brioni.

Siç bëhet e ditur në deklaratë, Samiti Brdo-Brioni, i iniciuar nga Kroacia dhe Sllovenia si vende anëtare të Bashkimit Evropian, ka si synim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të Evropës Juglindore. Takimi i krerëve të shteteve ishte planifikuar të mbahej në Kroaci gjatë muajit maj të këtij viti.

“Deklaratat dhe veprimet politike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, të vërejtura ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim flagrant me qëllimet e Samitit Brdo-Brioni, dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen e stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore,” thuhet më tej në deklaratë.

Presidenti Milanović shprehu bindjen se, në këto rrethana, mungojnë kushtet e nevojshme dhe se prania e Presidentit Vučić në Kroaci është e pamundur.

Zyra e Presidentit Milanović njoftoi se, në cilësinë e bashkëkryetarit të Samitit Brdo-Brioni, ai ka vendosur të anulojë takimin e planifikuar në Kroaci. Krerët e shteteve të ftuara në Brijun tashmë janë informuar për këtë. Takimi i ardhshëm do të mbahet vetëm pasi të plotësohen kushtet dhe pas konsultimeve me Presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, e cila gjithashtu bashkëkryeson Samitin.

Kujtojmë se Presidenti serb Aleksandar Vučić, pas zgjedhjeve lokale të shënuara nga incidente të shumta, deklaroi se do të hetonte raportet e agjencive të sigurisë lidhur me ndikimin e vendeve të huaja në procesin zgjedhor.

Në komentet e tij mbi akuzat për ndikim të huaj në zgjedhjet lokale, të cilat u bënë publike nga mediat pro-Vučić, Presidenti Vučić përmendi veçanërisht mbështetjen logjistike nga një vend fqinj.

Kur u pyet nga gazetarët për praninë e pretenduar të automjeteve me targa kroate në ditën e zgjedhjeve në Kula, Vučić njoftoi se së shpejti do të ofronte më shumë detaje.

“Lidhur me zgjedhjet e djeshme, për mua ishte e qartë shkalla e mbështetjes logjistike të ofruar nga një vend fqinj. Sidoqoftë, në periudhën e ardhshme do të marr një raport më të detajuar dhe më pas do ta ndaj me publikun,” deklaroi Vučić.

Ai theksoi se raporte të tilla i merr çdo ditë nga disa burime të ndryshme.

“Para së gjithash, nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë, por edhe nga shërbimet e ngarkuara me mbrojtjen kundërzbuluese të objekteve dhe personelit tonë ushtarak,” sqaroi ai.

Më herët gjatë ditës, Vučić bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin rus Vladimir Putin. Sipas tij, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ata kishin diskutuar edhe tema të tjera, ku Putin kishte pyetur për Kosovën dhe Republikën Serbe. Të dy presidentët kishin shkëmbyer mendime për të gjitha çështjet me rëndësi.

“E njoftova gjithashtu [Putinin] me aleancën e Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës; biseduam për të gjitha temat,” u shpreh Vučić gjatë fjalimit të tij në Presidencë.