Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur sot, ka marrë vendim se nuk ka pengesa ligjore për nismën për projektligjin për Specialen.
Në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti thuhet se nuk ka pengesa ligjore për nismën për ndryshimin e ligjit, transmeton IndeksOnline.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”. Vendimi, bashkë me tekstin e mendimit nga pika 1 e këtij Vendimi, i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Nga ana tjetër, që projektligji të miratohet plotësisht, deputetët duhet të mblidhen në Kuvend dhe të votojën “për”.
Ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca që do të trajtojë këtë pikë si rend të ditës.

