**NY Times raporton për valën e protestave në Shqipëri: Kundërshtim masiv ndaj projekteve të Kushner në Zvërnec**
“The New York Times” ka sjellë në vëmendje ndërkombëtare valën e protestave që po zhvillohen në Shqipëri. Këto protesta janë intensifikuar ditët e fundit kundër planeve të Jared Kushnerit, dhëndrit të ish-Presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e resorteve luksoze në zonën e Zvërnecit. Pjesëmarrja qytetare konsiderohet masive.
Sipas NYT, megjithëse planet për resorte luksoze përgjatë bregdetit shqiptar prej kohësh kanë ngjallur shqetësim te ambientalistët, ato tashmë janë kthyer në një vatër përplasjeje që pasqyron pakënaqësi më të gjera kundër qeverisë. Artikulli thekson se bëhet fjalë për një kompleks hotelesh me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe një tjetër projekt në një gadishull me ligatina sensitive ekologjike, të cilat prej vitesh kanë ngritur pikëpyetje mbi ruajtjen e mjedisit dhe mungesën e transparencës.
Këto protesta, të shtrira në kryeqytet dhe në qytete bregdetare, janë shndërruar në një simbol të pakënaqësisë së përgjithshme në Shqipëri, një vend që prej kohësh përballet me sfida ekonomike.
Kryeministri Edi Rama i ka mbrojtur vazhdimisht këto projekte, duke i konsideruar si një mundësi për zgjerimin e ekonomisë turistike dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ai theksoi se këto nisma përfaqësojnë “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”. Rama ka hedhur poshtë akuzat e kundërshtarëve se Jared Kushner, si një prej investitorëve, ka përfituar trajtim preferencial falë lidhjeve me vjehrrin e tij, Donald Trump.
Lidhur me pyetjet rreth projektit, Shtëpia e Bardhë u është drejtuar Affinity Partners, firmës së investimeve të Kushnerit, e cila financohet kryesisht nga fondet e qeverisë së Arabisë Saudite. Nga ana e saj, Affinity Partners ka referuar pyetjet tek Sazan Real Estate Development LLC, kompania zhvilluese e dy projekteve në Shqipëri. Asher Abehsera, kryetar i kompanisë, deklaroi se janë “të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet private më të mëdha në historinë e rajonit,” duke shtuar se fokusi i tyre përfshin edhe “menaxhimin e përgjegjshëm” të mjedisit.
Megjithatë, jo të gjithë shqiptarët pajtohen. Taulant Bino, kreu i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare dhe një kundërshtar i hapur i projektit, shprehet i kënaqur që kundërshtimi tashmë ka kapërcyer rrethin e ambientalistëve dhe ka përfshirë shtresa të gjera të shoqërisë. “Aty ka pak a shumë njerëz nga të gjitha grupet,” thekson Bino, duke shtuar se gjen “njerëz të majtë, njerëz të djathtë dhe njerëz me besime të ndryshme fetare.” Ai ngre si shqetësim kryesor mungesën e një raporti të publikuar për ndikimin në mjedis, një kërkesë standarde për projekte të tilla.
Që nga fundi i prillit, protestuesit janë mbledhur në Zvërnec, një zonë bregdetare me rreth 1,000 hektarë, e njohur si habitat për flamingo dhe pelikanë. Bino shpjegon se protestat nisën kur ambientalistët vunë re shenja të punimeve ndërtimore, si gjurmë makinerish të rënda dhe buldozerësh që shkatërronin dunat ranore. Intesifikimi i protestave gjatë ditëve të fundit lidhet me vendosjen e rrethimeve me tela me gjemba dhe bllokimin e të paktën një rruge hyrëse. Video të verifikuara nga e shtuna tregojnë një përshkallëzim të dhunës, me burra që shkëmbejnë thirrje përtej gardheve me tela me gjemba, ndërsa në pamje të tjera shfaqen individë që tërhiqen zvarrë ose hidhen me dhe/baltë.
Për Bino dhe protestuesit, ky projekt simbolizon një rrezik për prapakthim demokratik në Shqipëri, një vend që doli nga dekada të gjata të sundimit komunist në vitin 1991. “Nuk bëhet fjalë vetëm për transparencën lidhur me ligjin mjedisor, por për transparencën në përgjithësi,” thekson Bino. “Bëhet fjalë për demokracinë,” shton ai, duke nënvizuar se “protestat, sigurisht, janë të përqendruara te zonat e mbrojtura, por në thelb kanë të bëjnë më shumë me demokracinë në përgjithësi.”
Edhe çështja e pronësisë së tokës ka ngjallur shqetësime të vazhdueshme te banorët vendas, megjithatë marrëveshjet kanë ecur përpara duke anashkaluar pakënaqësitë. Në dhjetor 2023, Shqipëria dha miratimin paraprak për projektin e Kushnerit në Ishullin e Sazanit, ishull dikur bazë ushtarake sekrete. Projekti në Zvërnec pritet të përfshijë 6,000 dhoma hotelesh dhe vila. Ambientalët shqiptarë shprehin frikën se ky projekt do të krijojë një precedent për zhvillime të ngjashme në zona të tjera të mbrojtura. “Ky projekt po bëhet një lloj katalizatori,” thekson Bino, duke paralajmëruar se shumë projekte të tjera janë “në pritje në prapaskenë” për të marrë miratimin.
