Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian pritet të votojë të mërkurën raportin për Kosovën. Ky raport shpreh keqardhje për pasojat e ngërçit politik dhe vonesat në proceset reformuese të vendit.
Raporti, i hartuar nga eurodeputeti Riho Terras, thekson se Kosova ka humbur një vit thelbësor për shkak të bllokadës politike dhe paralajmëron se procesi zgjedhor mund të ndikojë edhe në muajt në vijim. Kjo situatë, shton dokumenti, rrezikon zbatimin në kohë të reformave dhe përfitimin e plotë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Dokumenti mbështet fuqishëm aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së të avancojnë procedurat përkatëse.
Po ashtu, përshëndetet vendimi për heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat konsiderohen të pajustifikuara dhe me ndikim negativ në shoqërinë kosovare. Raporti riafirmon rëndësinë jetike të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e procesit integrues evropian.
Kërkohet gjithashtu që përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë të dalin para drejtësisë, duke shprehur shqetësim për mungesën e procedimeve penale ndaj Milan Radoiçiqit.
Ky raport konsiderohet një mesazh i rëndësishëm politik për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
