**Paraburgoset një muaj në Gjakovë pas kërcënimit “O ku je, o kom me të myt” dhe dhunës ndaj bashkëshortes e axhës së saj**
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.K., shtetas i Kosovës. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja e parë ka ndodhur më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Komunës së Gjakovës. Në shtëpinë e një miku, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, F.K., duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional me qëllim cenimi të dinjitetit.
Paraprakisht, më 18 nëntor 2026, bashkëshortja ishte larguar në shtëpinë e familjes së saj pas mosmarrëveshjeve me të pandehurin. Po atë ditë, ajo kishte pranuar një mesazh zanor nga F.K., ku ai e kërcënonte me fjalët: „O ku je, o kom me të myt, po ku je“. Në ditën kritike, më 21 nëntor, në orët e para të mëngjesit, i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e saj, duke bërtitur dhe kërkuar që ajo të dilte e të hipte në veturë, gjoja për të biseduar, ndonëse ajo kishte frikë për jetën e saj.
Po në të njëjtën datë dhe kohë, i pandehuri dyshohet se ka shkaktuar lëndime të lehta trupore edhe axhës së bashkëshortes, F.Gj. Ai e sulmoi me thikë në fytyrë në momentin që F.Gj. i doli për të biseduar. Kur axha ngriti dorën për t’u mbrojtur, i pandehuri e goditi sërish, duke i prerë gishtin e katërt të dorës së majtë. Lëndimet janë konfirmuar në Raportin Mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas seancës dëgjimore, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, i pandehuri F.K. do të mbahet në paraburgim për një periudhë prej një muaji, duke filluar nga data e arrestimit, 21 nëntor 2026, deri më 21 dhjetor 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
