**Major Bujar Ferizi i FSK-së diplomon në programin prestigjioz ushtarak në Gjermani**
Major Bujar Ferizi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka diplomuar me sukses në programin prestigjioz “Lehrgang Generalstabs-Admiralstabs International (LGAI)” në Akademinë e Lidershipit të Bundeswehr-it në Hamburg, Gjermani.
Sipas njoftimit të FSK-së, programi i LGAI zgjat plot 17 muaj. Ai përfshin pesë muaj trajnim intensiv të gjuhës gjermane në Bundessprachenamt në Hurth, si pjesë e përgatitjes për studimet, e më pas dymbëdhjetë muaj studime në Kolegj. Këto studime janë fokusuar në planifikimin strategjik, lidershipin ushtarak, bashkëpunimin shumëkombësh dhe sigurinë ndërkombëtare.
Njoftimi i FSK-së thekson se në këtë gjeneratë të programit morën pjesë 74 oficerë nga 36 shtete të ndryshme të botës. Majori Bujar Ferizi përfaqësoi me dinjitet Republikën e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pjesëmarrja e tij ka kontribuar në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
