Janina Ymeri kritikon Ministrin Vitia për gjendjen në Klinikën e Pediatrisë: Çarçafët e fëmijëve kundrejt luksit të veshjeve

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër pas një postimi të bërë mbrëmë nga një nënë. Ky postim, i shoqëruar me fotografi, shfaqte gjendjen e rëndë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ymeri theksoi se Qeveria aktuale është e korruptuar dhe se institucionet po menaxhohen në mënyrë katastrofale. Nga ana tjetër, sipas saj, ministrat paraqiten me pamje të kuruar dhe të rregullt.

Në postimin e saj në Facebook, deputetja Ymeri shkroi: “Spitalet janë pa çarçafë dhe pa kushte minimale shtrati, ndërsa ministri Vitia shfaqet me shami mëndafshi. E ftoj ministrin të krahasojë pak, shtratin e fëmijëve me shaminë e tij luksoze. Në fund, të dyja paguhen me paratë tona, të qytetarëve të thjeshtë. Pyetja është: Pse nuk ndërrohen çarçafët dhe shtretërit për fëmijët, kurse veshjet e atyre që na qeverisin vezullojnë gjithmonë e më shumë?”