**Operacion i Përbashkët me Antimafian Italiane: Kreu i SPAK Njofton Sekuestrimin e 1 Milion Eurove, Bizneseve dhe Llogarive Bankare**
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, zbuloi detaje mbi operacionin e përbashkët të zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane. Në një konferencë për shtyp, Braho theksoi se janë caktuar 15 masa sigurie personale.
Braho bëri të ditur se, si rezultat i hetimeve, janë sekuestruar rreth 1 milion euro në cash. Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sekuestrimin e pasurive të tjera, si shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi: “Janë caktuar 15 masa sigurimi personale, dhjetë prej të cilave nga GJKKO në Tiranë. Ky rast nuk synon vetëm goditjen e aktivitetit të trafikut të drogës, por edhe goditjen e aktiviteteve kriminale që burojnë prej kësaj veprimtarie.” Ai shtoi se “gjatë hetimeve janë sekuestruar 1 milion euro para cash, dhe me kërkesën e Prokurorisë, GJKKO në Tiranë ka vendosur sekuestrimin e pasurive të tjera, si shoqëri, automjete dhe llogari bankare.”
